Nga Agron Brataj

Ekipi i Flamurtarit ndodhet aktualisht në Bolu, qytet turk rreth 3 orë larg Stambollit, ku po zhvillon fazën përgatitore për sezonin futbollistik 2025–2026. Skuadra vlonjate e nisi ditën e sotme me një test të rëndësishëm, një ndeshje miqësore ndaj Keciören, ekip i kategorisë së parë në Turqi, ku militon edhe ish-futbollisti i kombëtares shqiptare Odise Roshi.

Ekipi turk e nisi vrullshëm takimin, duke shënuar dy herë radhazi në fillimin e pjesës së parë dhe duke kaluar në avantazh të dyfishtë 2-0. Por reagimi i Flamurtarit ishte i menjëhershëm dhe mbresëlënës, duke treguar një lojë teknike të nivelit të lartë dhe një karakter të fortë.

Në minutën e 20-të, Maksuti realizoi një eurogol spektakolar, pas një aksioni personal nga krahu i majtë – ai lëvizi drejt qendrës dhe me një goditje të fuqishme me të djathtën nga rreth 30 metra, mposhti portierin kundërshtar.

Goli i dytë për vlonjatët erdhi pak më vonë, sërish në pjesën e parë, kur Janku shënoi me një goditje të saktë nga hyrja e zonës, duke barazuar rezultatin në 2-2.

Pjesa e parë u mbyll në barazim, ndërsa në të dytën Flamurtari dominoi me qarkullim të lartë të topit dhe organizim të mirë taktik, duke konfirmuar se është duke u ndërtuar një skuadër me pretendime serioze për titullin kampion në sezonin që pritet të fillojë së shpejti.

Gjatë pjesës së dytë, stafi teknik aktivizoi pothuajse të gjithë lojtarët në dispozicion, duke dhënë mundësi për testime dhe rotacion, megjithatë rezultati mbeti i pandryshuar.

Në zhvillimet e fundit nga kampi kuq e zi, mësohet se Flamurtari është përforcuar edhe me një mbrojtës 25-vjeçar nga Argjentina, i cili pritet t’i bashkohet menjëherë grupit nën drejtimin e stafit teknik.

Me një nisje të tillë premtuese, Flamurtari po jep sinjale pozitive se është gati për një sezon të suksesshëm, me synime të qarta drejt kthimit në majën e futbollit shqiptar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*