Nga Agron Brataj
Kontrolle të shtuara në portin e Vlorës pas operacionit “Ura”

Pas zhvillimit të operacionit të përbashkët “Ura” mes autoriteteve shqiptare dhe Antimafias italiane, janë intensifikuar ndjeshëm masat e sigurisë në portin e Vlorës. Kontrollet në këtë pikë hyrëse janë përforcuar si në vijën e parë, ashtu edhe në të dytën, me qëllim parandalimin e aktiviteteve të paligjshme.
Ky zhvillim vjen pas hetimeve të cilat zbuluan se përmes porteve të Vlorës dhe Durrësit po kryheshin transferime të paligjshme të shumave të mëdha monetare, duke u maskuar nga shoqëri transporti.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, prokurorë italianë dhe përfaqësues të SPAK zbuluan se ishin goditur disa struktura të fuqishme kriminale. Në fokus ishte një grup i madh kriminal me qendër në Durrës, si dhe dy nëngrupe të tjera të vendosura në Bari të Italisë.
GJKKO dhe Gjykata e Barit miratuan 52 masa sigurie, nga të cilat 49 janë arrest me burg. Ndërkohë, në territorin shqiptar janë sekuestruar pasuri me vlerë prej miliona eurosh.




