Kina e ka denoncuar si ndërhyrje në punët e brendshme vizitën në Tajvan të një zyrtari të lartë amerikan. Pekini njoftoi mbajtjen e stërvitjeve ushtarake në mbrojtje të sovranitetit ndërsa akuzoi palën amerikane se po cenon paqen në rajon.

Kina ka mbajtur stërvitje ushtarake në Ngushticën e Tajvanit teksa një zyrtar i lartë amerikan po viziton vendin autonom që Pekini këmbëngul se është pjesë e territorit kinez.

Stërvitjet në hapësirën detare në juglindje të vendit u konsideruan nga Pekini si veprime në mbrojtje të sovranitetit shtetëror.

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes akuzoi SHBA-në dhe Tajvanin për marrëveshje sekrete, ndërsa Ministria e Jashtme i kërkoi Uashingtonit të pranojë ekzistencën e një shteti unik kinez.

“Tajvani është pjesë e shenjtë dhe e pandashme e Kinës, një çështje thellësisht e brendshme që nuk kërkon asnjë ndërhyrje të jashtme. Çdo përpjekje e SHBA-së për ta përdorur Tajvanin si levë për të frenuar Kinën apo për të frikësuar të tjerët, është e prirur të dështojë.”

“Kina kundërshton çdo formë shkëmbimi zyrtar mes SHBA-së dhe rajonit të Tajvanit. Këmbëngulja e palës amerikane për ta vizituar cenon seriozisht parimin e Kinës unike, tre deklaratat e përbashkëta Kinë-SHBA, dhe inkurajon qëllimet separatiste për pavarësinë e Tajvanit. Këto cenojnë raportet dypalëshe, paqen dhe stabilitetin në gjithë Ngushticën.”

Keit Krok është ndër zyrtarët e nivelit më të lartë nga Departamenti i Shtetit që viziton ishullin në katër dekadat e fundit.

Vizita treditore vjen në një kohë që marrëdhëniet SHBA-Kinë ndodhen në pikën e tyre më të ulët, si pasojë e luftës tregtare dypalëshe,përplasjeve për origjinën e koronavirusit të ri dhe së fundmi nga polemikat për Hong-Kongun, Detin e Kinës Jugore dhe Tajvanin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, u ka bërë thirrje vendeve aleate të kundërshtojnë aspiratat “hegjemoniste” të Partisë Komuniste të Kinës.

Vizita e një delegacioni të gjerë nga Republika Çeke në kryeqytetin tajvanez po ashtu provokoi tensione në Pekin në fillim të shtatorit, veçanërisht deklaratat që përgëzonin përpjekjet e republikës aziatike për demokraci dhe pavarësi nga Kina komuniste.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*