Në 12 shtator të vitit 1998, u vra në Tiranë deputeti 35-vjeçar Azem Hajdari, i cili njihet si heroi i Demokracisë. Azem Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës.

Sot në nderim të tij shumë figura politike do të mblidhen për t’i bërë nderimet për 21 vjetorin e vrasjes së tij.

Tek momoriali ku u vra heroi i Demokracisë, kanë kryer homazhe përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike se bashku me familjarët e Azem Hajdarit. Lideri i opozitës, Lulzim Basha pasi ka kryer homazhe tek varri i Hajdarit ka mbajtur edhe një fjalim për mediat. Basha ka thënë se amaneti dhe sakrifica e Hajdarit janë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane.

“Ka ardhur koha që rinia shqiptare ta mbyllë tranzicionin dhe të hapë rrugën e vlerave, demokracisë, lirisë dhe barazisë para ligjit. Ky është nderimi më i madh për Azem Hajdarin dhe qindra të tjerë” ka thënë Basha ndër të tjera.

Tek varri i Azem Hajdari homazhe ka kryer edhe nën kryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare.  E para që ka vendosur lule tek varri i Azem Hajdarit ka qenë e bija e tij, deputetja Rudina Hajdari.

Po ashtu edhe Presidenti Meta pak para PD vendosi një kurorë me lule tek memoriali i Azem Hajdarit pranë ish-selisë së PD. Meta ka deklaruar se rruga që Azem Hajdari e vendosi Shqipërinë, për zgjedhje pluraliste të lira dhe të ndershme duhet mbrojtur me çdo kusht.

Ndërkohë PD pas homazheve të memoriali i Hajdarit do të shkojnë edhe tek vari i tij pranë Varrezave të Dëshmorëve.

Hajdari është nderuar me një sërë medaljesh presidenciale.  Ai ishte ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, po ashtu njihet si themeluesi i pluralizmit politik në vendin tonë.

Për sa i përket vrasjes së tij që konsiderohet edhe si ‘Vrasja e Shekullit’ janë hamendësuar motive nga më të ndryshëm; politike, hakmarrje, rivalitete, grindje etj. Ndërkohë edhe pse kanë kaluar 21 vite kjo ngjarje që tronditi Shqipërinë është ende e mbuluar me mister.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*