Operacioni i urdhëruar nga presidenti amerikan Donald Trump kundër Venezuelës, që çoi në arrestimin e presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane, ka hapur një debat të fortë juridik dhe diplomatik në arenën ndërkombëtare. Sipas ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, ky veprim përbën një shkelje të rëndë të rendit juridik global dhe një akt agresioni ndaj një shteti sovran.

Profesoresha Marina Castellaneta, pedagoge e së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Barit, e cilëson ndërhyrjen si të paligjshme dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

“Neni 2, paragrafi 4 i Kartës së OKB-së ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial dhe pavarësisë politike të një shteti. Ky parim është detyrues dhe përjashtime lejohen vetëm në rast vetëmbrojtjeje pas një sulmi të armatosur. Në rastin e Venezuelës, ky kusht nuk ekziston,” shprehet Castellaneta.

Administrata Trump e ka justifikuar operacionin si pjesë të luftës kundër narkotrafikut ndërkombëtar, por sipas ekspertes, ky argument nuk ka asnjë bazë ligjore.

“Për trafik droge, trafik qeniesh njerëzore apo korrupsion ekzistojnë konventa ndërkombëtare dhe mekanizma ligjorë: bashkëpunimi mes shteteve, hetimet dhe gjykimet. Përdorimi i forcës ushtarake kundër një shteti sovran është absolutisht i ndaluar,” thekson ajo.

Edhe akuzat e rënda ndaj Nicolás Maduro-s nuk justifikojnë një ndërhyrje të tillë. Sipas Castellanetës, ekziston një procedurë e hapur në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, institucion që Venezuela e ka ratifikuar, dhe vetëm ai ka kompetencën për të ndjekur penalisht një kryetar shteti, duke respektuar parimin e imunitetit.

“Ky nuk është një mandat arresti, por një rrëmbim. Për më tepër, imuniteti i krerëve të shteteve është një parim që edhe vetë Shtetet e Bashkuara e kanë mbrojtur në raste të tjera ndërkombëtare,” shton ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e ka cilësuar rastin si një “precedent të rrezikshëm”. Sipas ekspertes italiane, reagimi i vakët i komunitetit ndërkombëtar reflekton frikën për t’u përballur me një anëtar të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

“Kjo është një shkelje flagrante nga një shtet me të drejtë vetoje. Heshtja ose paqartësia rrezikon të minojë themelet e së drejtës ndërkombëtare,” paralajmëron Castellaneta.

Ajo thekson se, ndonëse Këshilli i Sigurimit është i paralizuar për shkak të vetos amerikane, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mund të miratojë një rezolutë dënuese.

“Nëse agresioni rus ndaj Ukrainës dënohet, i njëjti standard duhet të zbatohet edhe për agresionin amerikan ndaj Venezuelës,” nënvizon ajo.

Qëndrimet e paqarta të disa qeverive evropiane, që flasin për “ndërhyrje legjitime” duke dënuar njëkohësisht përdorimin e forcës, cilësohen si formula diplomatike pa bazë juridike.

“Asnjë autoritet nuk ka shpjeguar se mbi çfarë legjitimiteti ligjor mbështetet ky veprim. Edhe rasti i Panamasë me Noriegën ishte një shkelje e hapur e së drejtës ndërkombëtare,” shton Castellaneta.

As vënia në dyshim e legjitimitetit të zgjedhjeve në Venezuelë nuk përbën justifikim për ndërhyrje ushtarake.

“Probleme zgjedhore trajtohen me sanksione dhe mekanizma ndërkombëtarë, jo me veprime të njëanshme ushtarake. Kjo qasje pasqyron një mentalitet imperialist,” përfundon ajo.

Shpallja e regjimit të Maduros si “Foreign Terrorist Organization” nga administrata Trump, sipas ekspertes, është një akt i njëanshëm pa vlerë juridike ndërkombëtare, i ngjashëm me precedentë të mëparshëm që janë përdorur për të justifikuar ndërhyrje ushtarake.

Edhe nga këndvështrimi i së drejtës amerikane, operacioni mbetet i diskutueshëm, pasi kërkon autorizim të Kongresit, përveç rasteve të rrezikut të menjëhershëm.

Rasti i Venezuelës rihap një debat thelbësor: a po shkatërrohet rendi ndërkombëtar mbi bazën e forcës dhe interesit, në kurriz të ligjit dhe sovranitetit të shteteve?

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*