Prokurori Arjan Ndoja ka dhënë sot dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme, për atentatin që u bë në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit” në Durrës. Në makinë bashkë me të dy vite më parë ishte Landi Muharremi dhe shoferi Andi Maloku. Ky i fundit mbeti i vdekur.

Gjyqi për këtë atentat ka nisur sot dhe të akuzuar janë Redjan Rraja dhe Arjol Halilaj.

Në seancën e sotme, prokurori Ndoja ka qenë vetë para trupës gjykuese për të dëshmuar dhe ka thënë se shënjestra ka qenë pikërisht ai. Sipas Ndojës plumbat janë qëlluar nga ana ku ai ishte ulur si pasagjer. Për të vërtetuar këtë ai ka treguar dhe fotot e makinës, ku kanë mbetur shenjat e plumbave.

“Objektiv i atentatit kam qenë unë. E tregojnë dhe pamjet e makinës. Arsyet pse më kanë qëlluar e dinë këta.Nuk kam pasur asnjë shqetësim para se të ndodhte ngjarja vetëm deklarimet e bëra nga kryeministri e zv.kryeministri”, ka thënë Ndoja, ndërsa përballë kishte njërin nga autorët e dyshuar, Redjan Rraja.

Prokurori ka theksuar se para se t’i bëhej atentat nuk ka pasur asnjë shqetësim, përveç deklaratave publike të bëra nga kryeministri Rama dhe zv.kryeministri Braçe.

Në atë kohë, Rama e akuzoi prokurorin Arjan Ndoja si të lidhur me bandat kriminale që vepronin në Durrës. Edhe zv.kryeministri Erion Braçe, e akuzoi prokurorin Arjan Ndoja se i kishte bërë presion kreut të Kadastrës Liridon Pula. Braçe tha se prokurori kërkonte të legalizoheshin ndërtimet monstruoze të bëra nga bandat në Gjirin e Lalzit.

Njëri nga autorët, Redjan Rraja është nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, ndërkohë që së bashku me Ariol Halilajn akuzohen për “vrasje të funksionarit publik të mbetur në tentativë”, “vrasje në rrethana cilësuese”, “vrasje e mbetur në tentativë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Kujtojmë që më 1 nëntor 2019, automjeti ku po udhëtonin Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho (alias Landi Muharremi) u qëllua me breshëri kallashnikovi te mbikalimi i Shkozetit. Ndoja dhe Laho arritën t’i shpëtonin vdekjes, ndërsa shoferi Maloku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në datën 7 nëntor.

Policia gjeti në Shkafanë një automjet të braktisur, i cili u përkiste atentatorëve. Prokuroria ka thënë se ka dy prova shumë të rëndësishme që lidhen me ADN e Redjan Rrajës, ndërsa i akuzuari tjetër Arjol Halilaj dyshohet se është personi që ka fshehur mjetin dhe atentatorët.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*