TIRANE – Babai i Alvin Berishës, 11-vjeçarit shqiptar të mbetur në kampin Al Haël në Siri,  ka bërë një letër publike së bashku me avokatin e tij, ku i kërkon shtetit dhe çdokujt që ta ndihmojë në gjetjen dhe kthimin djalit në shtëpi. Ai shprehet se koha kalon dhe nëse i ndodh diçka të birit do të kërkojë llogari. Afrim Berisha thotë se institucionet shqiptare po bëjnë çmos për djalin e tij, të cilin ai e gjeti në Siri përmes emisionit investigues italian ‘Le iene” por që nuk mundi ta nxjerrë dot nga kampi që është nën pushtet kurd. Afrim Berisha thotë se me kontaktet që ka në kampin Al Hawl, Alvini ndodhet sërish aty.

“Lajmi i fundit i sigurt që kemi, tregon që Alvini aktualisht gjendet në kampin Al Hawl. Kemi besim të plotë në punën që po bëhet nga ana e Shtetit shqiptar dhe që ilustroi edhe Kryeministri Zoti Rama gjatë konferencës për shtyp”, thuhet në një reagim të babait.

Babai i tij pati edhe një lidhje telefonike me Report Tv mbrëmjen e djeshme ku tha se ka marrë garancinë edhe të kryeministrit Edi Rama për sjelljen e djalit të tij në Itali, aty ku Alvini ka lindur dhe që në moshën 6-vjeçare nëna e tij e rrëmbeu duke e marrë nga babai dhe dy motrat e tij më të mëdha. Jetesa në kamp nuk ishte aspak e lehtë për Alvinin. Nëna e tij shqiptare, që kohët e fundit para se ta rrëmbente nga babai kishte vënë shami, kishte nisur të lutej dhe kishte shfaqur sjellje radikale, kishte vdekur në kamp së bashku me një burrë të huaj që ishte martuar. Tashmë 11-vjeçar, Alvini ka harruar edhe gjuhën italiane edhe pse lindi në Itali dhe nisi atje klasën e parë. Di arabisht dhe mban mend gjuhën amtare, shqipen.

Kampi me mbi 70 mijë persona ka me mijëra fëmijë, shumica e të cilëve kanë lindur aty, dhe gjithçka është në kufijtë e mbijetesës. Al Hawl është kampi më i madh në kufi me Turqinë, 29 mijë gra ndodhen aty jo vetëm nga Lindja e Mesme por edhe Evropa, gra luftëtarësh të ISIS.

Letra publike

Alvin Berisha është një fëmijë shqiptar i cili aktualisht ndodhet në Siri pranë kampit Al Haël.

Në vitin 2014, kur ishte vetëm 5 vjeç, Alvini është çuar në Siri nga e ëma, pa dijeninë e babait. I ati, Afrim Berisha, nuk ka kaluar ditë pa e kërkuar. As lufta, as frika, as largësia, as pengesa ekonomike e as ISIS nuk e kanë ndaluar, me bindjen e me dashurinë që vetëm një baba mund të ketë. Pas pesë vitesh, në 25 shtator 2019, e ka gjetur Alvinin në kamp, e ka përqafuar fort dhe i ka premtuar që tani nuk do ndaheshin më. Por forcat kurde që ruajnë kampin nuk e kanë lejuar që ta marrë me vete, sepse për këtë duhet që aprovimi të kërkohet dhe të merret nga Shteti shqiptar.

Alvini është vetëm 11 vjeç, Alvini është i plagosur e ka nevojë për mjekim urgjent, Alvini është i vetmuar, Alvini është i trembur, Alvini duhet të largohet sa më shpejt nga Siria.

Institucionet kompetente shqiptare janë në dijeni të kësaj situate dhe po punojnë për të mundësuar kthimin e tij në Shqipëri. Kemi besim të plotë tek puna që po bëjnë si për Alvinin, si për të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë që ndodhen aktualisht në Siri. Kemi besim dhe shpresë që nëse të gjithë bëjnë punën e tyre, Alvini do kthehet së shpejti. Por jemi edhe të shqetësuar, sepse lufta në Siri po ashpërsohet dhe koha nuk premton. Në Al Hawl ndodhen plot 73.000 veta që jetojnë në një situatë të tmerrshme, e kjo na tremb. Nëse sot e bëjmë dhimbjen tonë publike, e bëjmë këtë vetëm për t’ju lutur kujtdo mund të na ndihmojë, që të na ndihmojë: duke punuar më shpejt, duke na dhënë informacione mbi gjendjen e Alvinit, duke na mbështetur qoftë edhe me një fjalë të mirë.

Sot lutemi e kërkojmë ndihmë. Nesër, larg qoftë i ndodh diçka Alvinit, do kërkojmë llogari.

Me respekt
Afrim Berisha
Avv. Darien Levani

Celulari shqiptar: 00355 06933447510
Celulari italian: 0039 3295327386
Mail: info@darienlevani.com“, tha babai.

Cfare tha Rama dje

“Situata tani atje është e komplikuar. Operacioni është i komplikuar dhe asnjë vend nuk ka bërë tërheqjet, madje as Italia ku u publikua rasti. Fokusi ynë ka qenë te gratë dhe të miturit dhe në bashkëpunim me partnerët kemi arritur që të grumbullojmë, jo pak informacion, kemi arritur të organizojmë kontakte dhe ka një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet dhe është përgatitur e gjithë infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe plan specifik masash për trajtimin e tyre më pas në Shqipëri. Por është një zonë ku ka autoritete” 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*