
Jetëgjatësia e njeriut varet nga gjenetika shumë më tepër sesa mendohej deri më sot. Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën Science, rreth 50–55% e jetëgjatësisë njerëzore është e trashëgueshme, një përqindje dukshëm më e lartë krahasuar me vlerësimet e mëparshme.
Studimet e mëhershme mbi binjakët sugjeronin një ndikim gjenetik deri në 25%, ndërsa analizat genealogjike nuk shkonin përtej 6%. Studimi i ri, i koordinuar nga grupi i Ben Shenhar në Weizmann Institute of Science, ka rishikuar këto vlerësime duke përjashtuar faktorët e jashtëm që nuk lidhen drejtpërdrejt me gjenetikën, si aksidentet apo infeksionet.
Duke përdorur modele matematikore, simulime dhe një numër të madh të dhënash nga çifte binjakësh, studiuesit arritën të dallojnë shkaqet intrinseke të vdekjes (të lidhura me proceset biologjike të plakjes) nga ato ekstrinseke. Rezultatet tregojnë se, kur merren parasysh vetëm faktorët biologjikë të brendshëm, trashëgueshmëria e jetëgjatësisë rritet ndjeshëm, duke arritur rreth 55%.
Sipas autorëve, një nivel kaq i lartë trashëgueshmërie është i krahasueshëm me atë të shumicës së tipareve të tjera komplekse njerëzore dhe me jetëgjatësinë e vërejtur në specie të tjera. Në një koment shoqërues të botuar në të njëjtin numër të Science, Daniela Bakula dhe Morten Scheibye-Knudsen theksojnë se këto gjetje kanë pasoja të rëndësishme për kërkimin mbi plakjen.
Fakti që gjenetika luan një rol kaq qendror në përcaktimin e jetëgjatësisë, sipas tyre, forcon përpjekjet për të identifikuar variante gjenetike të lidhura me jetëgjatësinë, për të përmirësuar vlerësimet e rrezikut poligjenik dhe për të lidhur dallimet gjenetike me rrugë biologjike specifike që rregullojnë procesin e plakjes.
Kërkimi mbi bazën gjenetike të jetëgjatësisë ka një histori të gjatë dhe ka çuar në identifikimin e disa gjeneve të lidhura me jetëgjatësinë, por deri tani nuk kishte vlerësime të sakta mbi ndikimin real të gjenetikës tek njeriu. Ndërkohë, në studimet mbi kafshët si tek minjtë lidhja midis gjeneve dhe jetëgjatësisë është e njohur prej kohësh.
Ky studim i ri sugjeron se gjenetika është një forcë qendrore në plakjen njerëzore, duke e afruar njeriun me modelet e vërejtura në specie të tjera dhe duke hapur rrugë të reja për kërkime në biologjinë e plakjes.




