Artur Kalaja është anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë, u dekretuar nga presidenti i vendit Ilir Meta.

Me emërimin e Kalasë, i cili më herët ka qenë pjesë e Gjykatës së Apelit të Tiranës, numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë shkon në 8, ndërsa ka ende vakanca për t’u plotësuar.

Kalaja kaloi mes lotësh procesin e Vetingut, ndërsa KPK hodhi dyshime fillimisht sa i takon pasurisë, ku ai u përball me dyshime për “trajtim preferencial”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti pikëpyetje mbi një kontratë sipërmarrjeje të bashkëshortes së gjyqtarit Kalaja si dhe përfitimin e 24 milionë lekëve të babait në AKPP. Sipas dokumenteve, bashkëshortja kishte përfituar një apartament, një dyqan dhe një garazh nga ndërtimi i një pallati në tokën e saj.

KPK ngriti dyshime se ajo kishte përfituar më shumë metra sesa në kontratë, por kjo u kundërshtua nga gjyqtari Kalaja, duke deklaruar se kishte përfituar më pak si vlerë, pasi dyqanin do e merrte në katin e parë dhe e ka marrë në katin e dytë, që ka gjysmën e vlerë.

E megjithatë, Kalaja u konfirmua në detyrë, dhe tashmë është anëtar i Gjykatës së Lartë.

DEKRETI I PRESIDENTIT META:

Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pikat 11 dhe 13, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pas administrimit pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 19.07.2021, të propozimit të arsyetuar të përcjellë me shkresën me nr. 3390/2 prot., datë 19.07.2021 dhe Vendimit nr. 311, datë 16.07.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatit z. Artur Kalaja”, shoqëruar me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë/emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur për kandidim me vendimin nr. 87, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, vendosa të:

D E K R E T O J:

Neni 1

Zoti Artur Kalaja emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 13173 Tiranë, më 26.07.2021

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*