Është zbardhur dëshmia e prokurorit Arjan Ndoja, e dhënë pas atentatit që u krye ndaj tij në afërsi të mbikalimit të Shkozetit pasditen e djeshme.

Ai ka treguar se me Landi Muharremin është takuar rastësisht në një restorant në zonën e plazhit në Durrës, dhe më pas është nisur me mjetin e tij në drejtim të Tiranës.

“Kam qenë duke drekuar në një restorant në zonën e plazhit. Isha i vetëm në lokal, erdhi Muharremi me të cilin kam njohje dhe një person tjetër dhe u ulën po aty. Më pas u nisëm drejt Tiranës” me automjetin tim”, është shprehur mes të tjerave Ndoja.

Makina e prokurorit ka qenë me xhama të zinj nga pas, ç’ka ka vështirësuar punën për autorët, në rast se shënjestra ka qenë vetë Ndoja. Prokurori ka mohuar që ai të ketë qenë shënjestra e sulmit, duke sqaruar se ata mund ta vrisnin edhe në derën e shtëpisë, pasi ai është një person që lëviz lirisht në Durrës.

“Mua mund të  më vrisnin në derën e shtëpisë, në prokurori, nuk kishte se pse të qëllohesha në autostradë”, është shprehur Ndoja, duke mohuar që ai të ketë qenë shënjestra e këtij atentati, ndërsa pretendon se nuk i ka parë lëvizjet e autorëve.

“Unë isha ulur në vendin e parë, ndërsa Maloku në drejtim të makinës. Muharremii pas. Nuk pikasëm ndonjë gjë të dyshimtë deri në momentin që jam qëlluar. Gjithcka ndodhi shumë shpejt”, është shprehur Ndoja.

Landi Muharremi derimë tani nuk ka dhënë asnjë dëshmi, për shak se një prej plumbave e ka kapur në pjesën e nofullës, dhe e ka të pamundur të flasë, deri në një moment që mjekët ta shohin të përshtatshme.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 gëzhoja, pjesa më e madhe e plumbave është qitur në anën nga ka qenë i ulur prokurori Ndoja, çka shton dyshimet që ai të ketë qenë dhe shënjestra.

Burime nga grupi hetimor flasin për një atentat me porosi, ndërsa ekzekutorët janë treguar të kujdesshëm për të mos lënë gjurmë, duke qenë se kanë qenë të pajisur me maska, në momentin kur kanë qëlluar me breshëri në drejtim të mjetit ku lëvizte Ndoja, së bashku me shoferin e tij Andi Maloku, si dhe me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Landi Muharremi.

Në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë dy mjete, një prej të cilëve i ka prerë fillimisht rrugën makinës ku udhëtonte Ndoja, Muharremi dhe Maloku, dhe kanë qenë manovrat e këtij të fundit, ato që kanë bërë që të shmangej tragjedia fatale.

Mësohet se pas ngjarjes autorët janë larguar në drejtim të Fushëkrujës, duke kaluar fillimisht nga Ishmi, në mënyrë që të shmangnin kamerat e sigurisë. Dyshimet janë që personat që kanë kryer atentatit të jenë nga veriu i vendit, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë ardhur nga Kosova, pikërisht për ekzekutimin e Ndojës.

E vetmja provë që ka në dorë policia dhe prokuroria është makina tip benz e braktisur me targa flase, që çuditërisht u la e padjegur nga ana e autorëve, dhe brenda të cilës u gjendën dy armë të tipit kallashnikov, dy maska. Mësohet se targat e mjetit tip benz 280 që u përdor në atentat janë vjedhur nga një makinë në kryeqytet, çka e bën edhe më të vështirë identifikimin e autorëve.

Hetimet për këtë atentat të rëndë po kryesohet nga Prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini, i cili u pa në orët e pasdites së djeshme në mbikalimin e Shkozetit, ndërsa më pas ka marrë në pyetje dhe objektivin e këtij atentati, prokurorin Ndoja.

Gjendja shëndetësore e prokurorit Ndoja dhe Muharremit është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa më kritike paraqite situate për ish-policin Maloku, i cili u transportua mbrëmë në spitalin e Traumës, me disa plumba në shpatull dhe në shtyllën kurrizore.

Ky atentat duket se ka tronditur edhe njëherë ekuilibrat e krimit në vend, që jo vetëm nuk i frikësohet shtetit, po në këtë rast veproi në të njëjtën vijë me këtë të fundit. Prokurori Ndoja prej disa javësh ishte vënë në qendër të sulmeve publike të kreut të qeverisë Edi Rama, si një person i lidhur me grupet kriminale, pasi përfaqësuesi i organit të akuzës kishte çuar pas hekurave drejtorin socialist të Kadastrës së Durrësit.

Nga qeveria Rama në këto orë pas atentatit nuk ka pasur asnjë reagim për ngjarjen e rëndë, ndërsa opozita e bëri atë përgjegjës direkt për sulmin me armë ndaj Prokurorit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*