Banka gjermane, Deutsche Bank, nuk do të bëjë biznes në të ardhmen me presidentin në largim të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, apo me kompanitë e tij për shkak të protestave të dhunshme në Capitol javën e kaluar.

Deutsche Bank është huadhënësja më e rëndësishme e Trumpit, me rreth 340 milionë dollarë hua për organizatën “Trump Organization”, e cila menaxhohet nga dy djemtë e miliarderit.

Lajmin për këtë vendim të bankës e para e publikua gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, e cila citoi një person të afërt me Deutsche Bank.

Zëdhënësi i kësaj banke të martën refuzoi të komentonte në lidhje me këtë rast. Përgjigje ende nuk kanë dhënë as nga organizata “Trump Organization” dhe nga Shtëpia e Bardhë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, Christiana Riley, udhëheqëse e operacioneve të kësaj banke në Shtetet e Bashkuara, javën e kaluar e dënoi dhunën në Capitol. “Ne jemi krenarë me kushtetutën tonë dhe qëndrojmë me ata që kërkojnë ta mbështesin atë për t’u siguruar që vullneti i qytetarëve të mbahet dhe të zhvillohet një ndërrim paqësor i pushtetit”, shkroi ajo.

Në nëntor të vitit të kaluar, agjencia Reuters raportoi se Deutsche Bank është duke kërkuar mënyra për t’i dhënë fund raportit të saj me Trumpin pas zgjedhjeve presidenciale për shkak të publicitetit negativ që rrjedh nga këto marrëdhënie

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*