Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) edhe këto zgjedhje vendore, ka monitoruar procesin zgjedhor të 30 Qershorit. Përmes një deklarate, KSHH iu ka bërë thirrje palëve politike të nisin dialogun mes tyre për të evituar një tensionim të mëtejshëm të situatës dhe përplasjet e vazhdueshme.

Në raportin e hartuar për 30 Qershorin, pas monitorimit të bërë në nëntë bashki të vendit, me 110 vëzhgues të angazhuar, KSHH arrin në përfundimin se këto zgjedhje politike nuk ishin zgjedhje por votime, ndërsa iu ka kërkuar palëve të miratojnë reformën zgjedhore me Konsensus, pasi është i nevojshëm konsensusi për realizimin e saj.

Fushat e monitoruara janë  procesi gjatë fushatës parazgjedhore,dhe ai i ditës së votimit dhe i numërimit të votave. Ndër problematikat e hasura raporti i KSHH vlerëson dështimin e Reformës Zgjedhore, në mosgjetjen zbatim të depolitizimit të administratës zgjedhore të të gjitha niveleve etj.

Reagimi i plotë i Komitetit Shqiptar të Helsinkit:

Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 92, shkronja “gj”, dhe nenin 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 9, paragrafi 1, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, me Dekretin nr. 10928, datës 05.11.2018 caktoi datën 30 qershor 2019, për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në vendin tonë. Pas caktimit të kësaj date, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) monitori në 9 Bashki të vendit, me anë të 110 vëzhguesve të tij, disa aspekte kryesore të procesit parazgjedhor, të ditës së votimit (30 Qershor 2019) dhe të numërimit. Monitorimi ynë i pjesshëm u shtri në një numër të kufizuar qendrash votimi dhe KZAZ, ndaj gjetjet e pasqyruara në raportin përfundimtar nuk mund të konsiderohen të plota dhe as gjithëpërfshirëse. Megjthatë, ato mund të vlejnë në drejtim të identifikimit të disa problematikave që mund të mbahen në konsideratë në kuadër të reformës zgjedhore, reformë kjo e cila ka dështuar me nismat e ndërmarra vitet e fundit nga Kuvendi i RSH.

KShH vlerëson se reforma zgjedhore kërkon konsensus dhe dialog të gjerë politik, transparencë dhe gjithëpërfshirje. Është e nevojshme të merren në shqyrtim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të pasqyruara në raportet e katër proceseve zgjedhore të fundit, përfshi edhe të dt.30 Qershor 2019. Rekomandim kyç është ai për depolitizimin e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet, i cili edhe në këto zgjedhje nuk u përmbush. Lidhur me sistemin zgjedhor, mendojmë se kjo çështje kërkon një analizë të thelluar, objektive dhe të gjithanshme. Rishikimi i sistemit zgjedhor kërkon paralelisht një reformë ligjore në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të partive politike, forcimin e demokracisë së tyre të brendshme, ndarjen dhe balancimin e kompetencave të kryetarit të partisë për zgjedhjen e kandidaturave që i propozohen elektoratit. Pavarësisht se çdo sistem ka avantazhet dhe disavantazhet e tij, në mënyrë të veçantë për këtë çështje duhet të ketë konsultime dhe dëgjesa publike me qytetarët që janë aktiv në jetën publike.

Për ligjshmërinë e zgjedhjeve të dt. 30 qershor 2019 do të vendosin organet kompetente. Gjithashtu, raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it përbën një udhërrëfyes të rëndësishëm që duhet të lexohet nga të gjithë palët me objektivitet dhe paanshmëri. Por pavarësisht nga kjo, KShH shpreh shqetësimin se situata politike në vend vazhdon të jetë e tensionuar. KShH mendon dhe shpreson se mund dhe duhen gjetur rrugët dhe mekanizmat e zgjidhjes së saj. Qytetarët nuk dëshirojnë një përplasje të tilla të vazhdueshme, në një moment kur për ta në rend të ditës duhet të jenë problemet social-ekonomike. Për më shumë informacion, ju ftojmë të njiheni me raportin përfundimtar të monitorimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*