Nga Agron Brataj

Pavarësisht zërave dhe spekulimeve të fundit që flisnin për një “braktisje” të Shqipërisë nga turistët italianë për shkak të rritjes së çmimeve, faktet në terren tregojnë një realitet krejt tjetër. Të dhënat më të fundit nga linja detare Vlorë–Brindisi tregojnë se fluksi i udhëtarëve italianë drejt brigjeve shqiptare jo vetëm që nuk ka rënë, por vijon me ritme mbresëlënëse.
Vetëm sot, më datë 18 gusht 2025, në portin e Vlorës kanë mbërritur 595 pasagjerë nga tragetet e linjës Vlorë–Brindisi, prej të cilëve plot 509 ishin shtetas italianë, që përbën mbi 85% të të gjithë pasagjerëve të huaj. Statistika të ngjashme po regjistrohen prej javësh, duke dëshmuar se turistët italianë vazhdojnë ta zgjedhin Shqipërinë si një destinacion të preferuar për pushime.
Në një kohë kur vende të tjera të rajonit, përfshirë edhe Kosovën, kanë parë një ulje të ndjeshme të numrit të pushuesve që dikur ishin prezentë çdo verë në rivierën shqiptare, italianët po tregojnë një besnikëri të admirueshme. Pothuajse për tri dekada, pushuesit nga Kosova ishin pjesë e pandashme e imazhit veror të bregdetit shqiptar. Por, me liberalizimin e vizave dhe rritjen e lirisë së lëvizjes në Europë, shumë prej tyre kanë zgjedhur të kalojnë pushimet jashtë vendit, duke i reduktuar ndjeshëm vizitat në Shqipëri.
Ndërkohë, italianët të cilët ndoshta për vite kishin vështruar përtej Adriatikut me njëfarë skepticizmi – sot janë kthyer në ambasadorët më të mirë të turizmit shqiptar. Ata nuk janë thjesht turistë të rastësishëm; shumë prej tyre kthehen çdo vit, disa kanë blerë prona, e shumë të tjerë promovojnë Shqipërinë në rrjetet sociale e në media lokale.
Përtej çmimeve, që janë temë diskutimi në çdo sezon turistik, Shqipëria për italianët ofron një përzierje unike të natyrës, mikpritjes, historisë dhe ushqimit të mirë pa harruar lidhjen shpirtërore dhe kulturore që i afron të dyja vendet.
Në fund të ditës, faktet flasin vetë: Shqipëria nuk është braktisur nga italianët. Përkundrazi, ata po e zbulojnë e rizbulojnë me dashuri dhe vlerësim të përditshëm. Dhe kjo është një mundësi që Shqipëria duhet ta vlerësojë e shfrytëzojë me mençuri, duke ruajtur autenticitetin, mikpritjen dhe vlerat që e bëjnë të veçantë.




